E ëma ishte djegur e bërë zhari. Ai e preku atë masë thëngjilli, që më parë kishte qenë nëna e tij dhe qau. Megjithëse patën kaluar shumë vite dhe njerëzit e quanin të marrë, atij i kujtohej krejt pastër “kur të vdes me varrosni atje ku kam lindur”
Vështroi rreth e rrotull shtëpinë që nxirrte akoma tym, trarët që binin, sahane e tasa, kusia të padjegura dhe prapë qau. Nëna e thëngjilltë, krejt e zezë, pa flokë e rroba vinte erë mish i përzhitur. Edhe pak e do binte nata.
Medoemos mendonte të nisej, të nisej sa më parë, pa e shikuar akoma njerëzit që e shanin i marrë
E lidhi në këmbë dhe në duar me një konop dhe pasi u ul e hodhi në krah duke lidhur edhe veten me skajet e mbetura të konopit. Mori frymë thellë, u ngrit me mundim, pa qiellin për të gjetur dhe sa ditë do të kishte dhe u
Ecte dhe qante. Dhe atij i vinte era mish i përzhitur. Ndjeu diku në përroje lukuni ujqërish dhe u tremb. Mos më hanë nënën. O zot i madh, të paktën sot mos të ma gjejë gjë. E ndjente se asnjëherë në jetë nuk ia pati bërë qejfin asaj të mjere dhe ndoshta nga kjo ai kishte dëshirën t’ia plotësonte amanetin.
Lukunia po afrohej përherë e më tepër dhe frika e rrezikut e pushtoi krejt. Atbotë iu kujtua se medoemos i duhej të gjente një shpellë dhe ta fshihte nënën në të. Ndihmomë, o Zot.
Litari ishte liruar dhe kërcurja gati po i binte. E rregulloi prapë ashtu në perpjekje për ta futur mes dy gurëve të mëdhenj. Krejt i lodhur u ul dhe e lëshoi. Kishte filluar dëbora.
Trupi i pajetë i nënës qe shtrirë mes gurëve të mëdhenj me litarët e shpërndarë nëpër trup si gjarpërinj. Ai pati ftohtë, por dhe zjarr nuk ndezi. E trishtonte imazhi i tij dhe sapo iu kujtua qau prapë.
-A kam fjetur gjatë?- dëgjoi pas shpine
U kthye vrik. Qe nëna. Ajo po zgjidhej nga litarët dhe habitej me trupin e tymosur. Ndjeu se po i luante fiqiri
-Tani do të të mbaj unë mbi shpinë.
-Ti s’mundesh, po hajde të ikim. Hip,-i tha ai.
Ajo ia perkedheli ballin e rrudhosur dhe mjekrën gri dhe pisanjose dhe e puthi
-
-Ani, s’ka gjë. Hajde tani, hip,- e urdheroi ajo dhe rregulloi rripat prej litari. Duke qarë u ngjit në shpinën e nënës. U nisën. Malet gri qenë më të uritur se ujqërit. Dëbora binte vazhdimisht
Shikonte pas kokën tullace të nënës dhe qante. Era e mishit të përzhitur i provokoi ndjesinë e të vjellit por tashmë ajo e kishte lidhur
Male të shtrirë keqas, bri njëri tjetrit u dolën perpara tamam si ujqër të lodhur. Ai ndjeu nje kapitje dhe iu terrtuan sytë. Në përhumbje kuptoi që po i ndalej fryma dhe deri brenda syve i erdhën malet që hapnin gojën si ujqër. Ndjeu kafshim diku mbi shpatull. Nwna ecte me shpejt. Pas mbeti njw vragw gjaku.
E ëma ktheu rrugë dhe zbriti teposhtë. Malet ulurinin turi më turi me ujqërit.
-A kam fjete gjatë?-pyeti, kur e ema e pati zgjidhur në të hyrë të një shpelle dhe po pushonte pak
-Jo, biro, ti ke vdekur e po te çoj atje ku më ke thënë, po u lodha dhe po rri pak
-Tash po të marr unë,- i tha djali dhe pasi e lidhi e hodhi mbi shpinë, lidhi dhe veten dhe u nis për ta varrosur nënën atje larg, përtej maleve dhe ujqërve. Nëna ashtu e vdekur varej keqas. Këmbët e saj linin mbi dëborë dy vija të gjata e të vdekura. Bora kishte mbuluar malet. Retë qenë gri e të shkatërruara si lekura gomerësh të shqyer nga ujqërit
*******************
Kur dimri iku dhe shkriu dëbora, barinjtë mes gurëve të mëdhenj gjetën dy grumbuj kockash shtrirë bri njëri tjetrit, por gjithësesi dukeshin se kërkonin të iknin në drejtime të ndryshme. Madje barinjtë u kujtuan se i kishin pare vërdallë mes dëborës dhe ulurimave të ujqërve, duke e mbajtur herë njëri e herë tjetri shoqi shoqin mbi shpinë.
No comments:
Post a Comment